Skuadra gjilanase, Drita, ka arritur të shënojë fitore të rëndësishme në përballje me Ferizajn, duke i dhënë fund formës jo të mirë në stinorin pranveror. Skuadra e udhëhequr nga Bekim Isufi arriti të triumfojë 2:0 në sfidën ndaj Ferizajt në Gjilan. Përkundër kundërshtarit që hyri në këtë takim në një formë mjaft të mirë, ishin gjilanasit ata të cilët dominuan nga fillimi e deri në fund për të triumfuar me dy gola epërsi.
Golin e parë të vendasve e realizoi Florim Bërbatovci (64’). Ish-anëtari i Prishtinës arriti të shfrytëzojë një tollovi në zonën e skuadrës mysafire dhe me një goditje të furishme mposhti portierin Avdyli. Golin e dytë i cili vulosi fitoren e Dritës e shënoi Shqipërim Kelmendi në minutën e dytë të kohës shtesë. Kelmendi realizoi bukur nga e majta, pas një kundërsulmi të skuadrës së tij.
Ferizaj pati dy raste mjaft të mirë shënimi në pjesën e dytë të kësaj sfide, mirëpo Berat Hyseni e Visar Zogiani nuk arritën të shënonin. Ndryshe, Ferizaj e mbylli takimin me një lojtar më pak pasi Agron Istrefi u përjashtua me karton të kuq në pjesën e dytë. Pas kësaj fitoreje, Drita tani ka 37 pikë, duke dalë në pozitën e gjsahtë në renditje, me një pikë më shumë se Besa, teksa Ferizaj mbetet me 42 pikë në pozitën e dytë.
Trepça ’89 ka arritur të shënojë fitore minimale në përballje me Hajvalinë në takimin e zhvilluar në Mitrovicë. 89-shi triumfoi me një gol të futbollistit, Arbër Patoku, në pjesën e dytë. Ky i fundit shënoi pas një gabimi të mbrojtjes mysafire, duke i sjell tri pikë të reja skuadrës së tij, pas fitores në Vushtrri. Tani, mitrovicasit kanë 39 pikë në renditje, aq sa ka edhe Drenica në pozitën e katërt, teksa Hajvalia mbetet e teta me 32 pikë.
Fushë Kosova ka arritur të shënojë fitore të madhe në përballje me Drenicën. Vendasit arritën të triumfojnë 2:1 për ta vazhduar garën e mbijetesës në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll. Ishte një autogol i futbollistit mysafir, Lushtaku, në minutat e fundit të takimit ai i cili ia solli fitoren Fushë Kosovës, skuadër e cila pësoi gol pas një devijimi nga goditja e Dukagjin Gashit. Me këtë fitore, Fushë Kosova tani ka 26 pikë në renditje, aq sa ka edhe Trepça në pozitën e 11-të, teksa Drenica është e katërta me 39 pikë.
Raiffeisen Superliga, java 26
Feronikeli – Prishtina 1:0
Drita – Ferizaj 2:0
Trepca 89 – Hajvalia 1:0
Fushë Kosova – Drenica 2:1
Trepca – Llamkos Kosova (të enjten)
Liga e parë, java 23
Liria – Kosova ( P ) 6:2
Llapi – Lepenci 3:0
KEK-u – Istogu 0:2
Ulpiana – Vëllaznimi 0:1
2 Korriku – Flamurtari 2:0
Ramiz Sadiku – Ballkani 1:0
Deçani – Rilindja 1:1
Gjilani – Dukagjini (të enjten)