9 nëntor, 2020 – Tre presidentët e federatave të futbollit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Armand Duka, Agim Ademi dhe Muhamed Sejdini janë bërë sërish bashkë. Shkas për këtë është bërë manifestimi i sotëm për nderimin e presidentit të FSHF-së, Armand Duka  me titullin “Dr. Honoris Causa” nga Universiteti i Sporteve në Tiranë. Në këtë ngjarje morën pjesë edhe shumë personalitete të njohura sportive, shoqërore e politike nga viset e ndryshme shqiptare.  Ndërkohë, mbrëmë presidenti i FSHF-së ka shtruar darkë për dy homologët dhe miqtë e tij, Agim Ademi e Muhamed Sejdini, e ku është biseduar për projektet e përbashkëta si dhe për mundësinë e aplikimit sa më të shpejtë të teknologjisë VAR në futbollin e tri vendeve tona, që vlerësohet si tejet i nevojshëm për progres të mëtutjeshëm, tani kur cilësia e ligave është rritur. Po ashtu, Ademi e Duka i uruan Sejdinit sukses në ndeshjen finale të “play-off”-it për Evropian kundër Gjeorgjisë.