13 korrik, 2023 – Skuadra e Dukagjinit ka debutuar me fitore në garat evropiane, teksa të enjten në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri” e ka mposhtur skuadrën Europa nga Gjibraltari, me rezultat 2:1, në kuadër të rrethit të parë të Ligës së Konferencës. Skuadra e Armend Dallkut kaloi në epërsi në minutën e 30-të, me golin e Bujar Shabanit, por mysafirët barazuan shifrat me golin e Jesus Pozos, në minutat shtesë të kaptinës së parë. Megjithatë, përpjekjet e Dukagjinit për fitore u konkretizuan në minutat shtesë të ndeshjes, kur Iljasa Zulfiu shënoi gol tejet të vlefshëm me gjuajtje nga distanca, i cili mund t’i japë kualifikimin tutje skuadrës nga Klina. Ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave në Gjibraltar.