16 prill, 2022 – Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e para të javës së 29-të në BKT Superligë. Gjilani ka fituar me lehtësi në duel me skuadrën e fundit në renditje, Feronikelin, me rezultat 5:1. Të parët në epërsi kaluan mysafirët me golin e Ardi Qorrit, në minutën e 9-të, por më pas gjithçka kaloi në shenjë të skuadrës së drejtuar nga Ismet Munishi. Shifrat i barazoi Keita Razak, në minutën e 32-të. I njëjti futbollist realizoi më pas edhe në minutën e 55-të, por paraprakisht në listën e realizatorëve u regjistrua Shend Kelmendi (39’). Ndërkaq, dy golat e fundit për Gjilanin i realizuan Blerim Krasniqi në minutën e 58-të dhe Gerhard Progni në minutën e 90-të. Malisheva ka shënuar fitore të rëndësishme në garën për mbijetesë në elitë, duke e mundur Ulpianën, me rezultat 1:0. Golin e vetëm të kësaj ndeshje e shënoi Ronald Sobowale, në minutën e 18-të. E tri pikë të mëdha si mysafire i arkëtoi Dukagjini, që në Skenderaj e mundi Drenicën, po ashtu me rezultat 1:0. Golin e fitores për skuadrën e Armend Dallkut e realizoi Arbër Shala, në minutën e 72-të. Nesër zhvillohen dy ndeshjet tjera tejet interesante, ku Llapi është mikpritës i Dritës, derisa Ballkani luan kundër skuadrës kampione në fuqi, Prishtinës.