24 prill, 2022 – Dukagjini ka arkëtuar tri pikë tejet të rëndësishme në garën për ta siguruar mbetjen në elitë. Skuadra e drejtuar nga Armend Dallku, të dielën, në stadiumin “18 Qershori” në Klinë e ka mundur skuadrën e kreut të renditjes, Gjilanin, me rezultat 2:0, duke ia zbehur kësisoj shpresat për titullin e kampionit. Hero i fitores së Dukagjinit ishte kapiteni Altin Merlaku. Ai realizoi brenda tre minutash dy herë. Golin e parë e shënoi në minutën e 33-të, ndërsa të dytin në minutën e 36-të dhe atë me një gjuajtje të shkëlqyeshme nga distanca. Kjo fitore e mban Dukagjinin ende në pozitën e tetë, por tani me 36 pikë, aq sa ka edhe Drenica në pozitën e shtatë. Ndërkaq, Gjilani pas kësaj humbje mbetet në pozitën e tretë me 55 pikë, sa ka edhe Drita në pozitën e dytë, por ngec madje 9 pikë ndaj liderit Ballkanit. Në ndeshjen tjetër, e cila u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” nuk pati fitues. Prishtina dhe Drita u ndanë baras 1:1, duke arkëtuar nga një pikë. Bardhekaltrit kaluan në epërsi me golin e Leotrim Kryeziut në minutën e 37-të pas harkimit të Besnik Krasniqit, derisa kuqezinjtë nga Skenderaj barazuan shifrat në minutën e tretë të shtesës në pjesën e parë, me golin e Osman Mëziut. Prishtina mbetet në pozitën e pestë me 39 pikë, tri më shumë se Drenica.