19 mars, 2022 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 26-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll. Dukagjini ka shënuar fitore tejet të rëndësishme si mysafir në stadiumin “Zahir Pajaziti”, duke e mundur Llapin, me rezultat 2:1. Të dy golat për skuadrën e drejtuar nga Armend Dallku i ka shënuar sulmuesi me përvojë Ahmed Januzi. Golin e parë e realizoi në minutën e 10-të, derisa të dytin në minutën e 72-të. Në anën tjetër, llapjanët golin e vetëm e shënuan në minutat shtesë të takimit, kur realizoi Latif Amadu. Kjo fitore ia mban edhe më tutje Dukagjinin në pozitën e 8-të, por tani me 29 pikë, duke ia rritur shpresat për t’iu shmangur zonës së rrezikshme. Ndërkohë, Gjilani nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë si mysafir i Malishevës, ndeshje e cila është mbyllur pa gola. Të dyja palët kishin rastet e tyre për të shënuar, por nuk arritën të gjejnë rrugën e golit. Pas këtij barazimi skuadra e Arsim Thaqit renditet në pozitën e pestë, me 33 pikë, derisa gjilanasit e drejtuar nga Ismet Munishi mbesin në kuotën e 49 pikëve në pozitën e dytë.  Pa fitues, por me gola ka përfunduar edhe ndeshja në Drenas, ku skuadra e fundit në renditje dhe pa shpresa për mbetje në elitë, Feronikeli, ka arritur ta ndalë Ulpianën, me rezultat 2:2. Golashënues të dyfishtë në këtë ndeshje ishin Ardi Qorri për Feronikelin (28’, 79’) dhe Goncalves Junior (34’, 39’) për skuadrën lipjanase. Nesër zhvillohen dy ndeshjet e fundit të kësaj jave, ku lideri Ballkani e pret Drenicën, derisa në Gjilan zhvillohet derbi ndërmjet Dritës dhe Prishtinës.