22 nëntor, 2020 – Pas pushimit 10 ditësh për shkak të ndeshjeve të Kombëtares në Ligën e Kombeve, këtë fundjavë është rikthyer gara në Superligë me ndeshjet e javës së 13-të. Skuadra kryesuese, Ballkani ka shënuar fitore në shtëpi në duel me Llapin, me rezultat 4:2, duke e përforcuar pozitën e parë me 29 pikë. Dy gola për Ballkanin i shënoi Nazmi Gripshi (14’, 39’), derisa me nga një gol kontribuuan Ermal Krasniqi (24’) dhe Mirlind Daku (45’). Ndërkaq, golat për llapjanët i shënuan Elvis Prençi (51’) dhe Ahmed Januzi (80’). Me të njëjtin rezultat fitores iu gëzua edhe Prishtina në duel me Trepçën’89, me golat e Sabien Lilajt (12’-pen), Leutrim Kryeziut (27’), Besnik Krasniqit (63’) dhe Gauthier Mankendas (66’), derisa për mitrovicasit realizuan Bismark Charles Sie (45’) dhe Arbnor Muja (72’). Fitore me rezultat bindës, por si mysafire ka realizuar Drita, duke e mposhtur Besën (4:1), derisa Gjilani me vështirësi ka shënuar fitore në shtëpi ndaj Drenicës (1:0), teksa Feronikeli ka arkëtuar tri pikë të rëndësishme në duel me Arbërinë (1:0).