11 tetor – Skuadra kampione e Kosovës në futsall, Feniksi, e ka nisur me fitore fazën e dytë në garën prestigjioze “UEFA Futsal Cup”. Klubi nga Drenasi ka fituar bindshëm kundër kampionit të Maqedonisë, Zelezarec, me rezultat 5:0, në kuadër të Grupit 2. Marcelo realizoi dy golat e parë për Feniksin, ndërsa Alibegu shënoi të tretin. Më pas Mejzini shënoi dy herë për ta vendosur rezultatin përfundimtar. Të mërkurën, Feniksi do të luajë kundër skuadrës azerbajxhanase, Araz, që vlerësohet edhe kundërshtari më i fortë i këtij grupi. Ndeshja fillon në orën 17:30, derisa më 14 tetor kampioni i Kosovës do të ballafaqohet me ekipin nga Gjeorgjia, Tbilisi State University. Aktualisht Arazi dhe Feniksi prijnë në Grupin 2 me nga tri pikë, pozita këto të cilat sigurojnë kalimin në fazën “Elite Round”, ku do të luajnë 16 ekipet më të mira të Evropës. Ndeshjet e Grupit 2 po zhvillohen në palestrën “Jane Sandanski Arena” në Shkup.