liburn-feniksSkuadra nga Drenasi, Feniks, është kampione e Kosovës në futsall për edicionin 2015/16. Në ndeshjen e tretë të finales së “play-off”-it të Superligës, që ishte përcaktuese për titullin e kampionit, Feniksi shënoi fitore si mysafir kundër Liburnit, me rezultat 5:4. Ndeshja u zhvillua në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, e cila ishte e stërmbushur me tifozë. Mirëpo, përkundër përkrahjes së madhe që kishte nga tifozët Liburni pati paraqitje të zbehtë në pjesën e parë, duke i lejuar mysafirëve që të shënojnë pesë gola. Serinë e golave e nisi Mentor Mejzini në minutën e 4-t, për ta vazhduar Dardan Topilla (6′), Narcis Alibegu (11′ e 17′) dhe Ani Mullai (18′). Ndërkohë në pjesën e dytë Liburni mbizotëroi plotësisht dhe arriti ta ngushtojë epërsinë e skuadrës drenicase, duke e bërë fundin e kësaj ndeshje dramatik me golat e shënuar nga Ramadan Alaj (24′ e 35′), Arbër Dobroshi (32′) dhe Halim Selmanaj (38′). Por me gjithë përpjekjet e mëdha për ta barazuar rezultatin në minutën e fundit gjakovarët nuk ia arritën qëllimit. Kësisoj, Feniksi iu gëzua titullit të kampionit me dy fitore të realizuara si mysafire në Gjakovë, pasi ndeshjen e dytë finale të zhvilluar para tifozëve të vet e humbi me shifrat 2:3. Në fund për skuadrat u ndanë edhe medaljet, kurse kupën kapitenit të Feniksit, Mentor Mejzini, ia dorëzuan, Rasim Gimolli, kryetar i Komisionit të Futsallit dhe Ilaz Mjaku, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së. Pas këtij suksesi Feniksi e ka siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane të futsallit për edicionin 2016/2017.
Finalja e “play-off”-it të Superligës në futsall
E mërkurë, 25 maj – Gjakovë – Ndeshja e parë:
Liburni – Feniksi   5:7
E diel, 29 maj – Drenas – Ndeshja e dytë:
Feniksi – Liburni   2:3
E martë, 31 maj – Gjakovë – Ndeshja e tretë
Liburni – Feniksi   4:5