9 korrik, 2019 – Kampioni i Kosovës, Feronikeli, ka barazuar 2:2 si mysafir kundër kampionit të Uellsit, The New Saints, në ndeshjen e parë të rrethit të parë kualifikues për Ligën e Kampionëve. Loja në përgjithësi ishte e barabartë, por uellsianët arritën të krijojnë epërsi në fillim të pjesës së dytë me golat e Greg Draper dhe Aeron Edwards. Megjithatë, kampionët tanë nuk u dorëzuan dhe falë karakterit të fortë arritën që në minutat e fundit të ndeshjes të barazojnë shifrat me golat e Mevlan Zekës dhe Astrit Fazliut, nga penalltia. Ky rezultat vlerësohet tejet i favorshëm për skuadrën nga Drenasi, e cila javën e ardhshme e mirëpret skuadrën uellsiane në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe shpresat për kualifikim në rrethin e dytë janë të mëdha.