15 shtator, 2018 – Janë zhvilluar tri ndeshjet e para të javës së 5-të në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra kampione në fuqi, Drita, ka pësuar humbjen e katërt radhazi, duke konfirmuar kësisoj se është zhytur në krizë në fillim të këtij edicioni. Kësaj radhe kampionët u mposhtën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas nga Feronikeli, me rezultat 4:0. Të gjithë golat nga skuadra e Feronikelit u shënuan në pjesën e dytë, atëherë kur skuadra e Dritës mbeti me 9 futbollistë, pasi për shkak të përjashtimit të Bujar Shabanit, në minutën e 38-të me karton të kuq dhe më pas përjashtimit të Viktor Kukës, në minutën e 58-të pas dy kartonëve të verdhë. Epërsinë numerike në fushë futbollistët vendas e shfrytëzuan maksimalisht, duke shënuar katër herë. Nga dy gola i realizuan Mendurim Hoti (62’, 87’) dhe Kastriot Rexha (77’, 90’). Ndërkohë humbje, por para tifozëve të vet ka regjistruar edhe Gjilani, që është mposhtur nga Ballkani, me rezultat 1:3. Mysafirët kaluan në epërsi në minutën e 16-të me golin e Visar Berishës me kokë. Gjilanasit i barazuan shifrat në minutën e 28-të me golin e Vilfor Hysës. Megjithatë, gjashtë minuta më vonë skuadra nga Suhareka e riktheu epërsinë me golin e Jetmir Topallit me gjuajtje me kokë. Ndërkaq, fitoren e Ballkanit e konfirmoi Egzon Shabani, në minutën e 73-të, kur shënoi me gjuajtje nga distanca. Ndërkaq, në orët e mbrëmjes në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet është zhvilluar ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Ferizajt, e cila nuk ka dhënë as fitues e as gola.