Foto-1Sot janë zhvilluar ndeshjet e javës së 32-të (të parafundit) për këtë edicion në Raiffeisen Superligë. Skuadra e Feronikelit e ka festuar titullin e kampionit me fitore kundër Drenicës, duke e mposhtur me rezultat 3:1. Feronikeli e kishte siguruar titullin një javë më herët, por edhe në këtë ndeshje dëshmoi se ishte skuadra më cilësore e këtij kampionati. Stadiumi “Rexhep Rexhepi” në Drenas ishte i mbushur me tifozë, të cilët kishin ardhur për ta festuar së bashku me skuadrën e tyre të zemrës titullin e dytë radhazi, që kësaj radhe i hap rrugë edhe për dalje në garat e Ligës së Kampionëve. Të parët shënuan mysafirët nëpërmjet Mërgim Rexhajt (5’), por vendasit barazuan katër minuta para përfundimit të pjesës së parë me golin e Ardian Limanit. Ndërkohë, në pjesën e dytë Feronikeli shënoi edhe dy herë nëpërmjet Mendurim Hotit (69’) dhe Isa Eminhazirit (90+2’) për ta shijuar fitoren e 21-të në këtë edicion. Derisa për Feronikelin kjo fitore shërbeu vetëm për statistika, Drenicës kjo humbje ia vështirësoi dukshëm punët në garën për mbijetesë në elitë. Në fund në një ceremoni madhështore medaljet dhe trofeun e kampionit futbollistëve të Feronikelit ua ndanë nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi dhe ministri për sport, Kujtim Shala. Fitore të rëndësishme në garën për vendin e dytë ka shënuar Hajvalia, e cila si mysafire e mposhti Llapin, 3:1. Golat e fitores për Hajvalinë i shënuan braziliani Sergio Junior (13’), Azem Ahmeti (38’) dhe Leart Emini (80), kurse për llapjanët golin e vetëm e shënoi Dardan Jashari (90’). Trepça ’89 shënoi fitore në shtëpi, duke e mundur Prishtinën, me rezultat 1-0, me golin e Blerand Kurtishajt (67’). Pikët tejet të rëndësishme ka arkëtuar Liria, e cila në udhëtim e mundi Gjilanin, me rezultat 0:1, duke iu shmangur përfundimisht zonës së barazhit. Visar Berisha shënoi golin e fitores për Lirinë. Fitore me rezultat të njëjtë ka shënuar edhe Besa në duel me Dritën, me golin e Kastriot Rexhës (10’), duke ia vështirësuar gjilanasve dukshëm garën për mbetje në elitë. Ndërkohë, Istogu ka shënuar fitore kundër Vushtrrisë, 3:1, për t’i mbajtur edhe më tutje gjallë shpresat për t’iu shmangur pozitës së parafundit në javën e fundit.
Foto-2 Foto-3 Foto-4 Foto-5 Foto-6 Foto-7
feronikelikamp feronikelikampion
Raiffeisen Superliga, java e 32-të
Feronikeli – Drenica                      3-1
Llapi – Hajvalia                             1-3
Gjilani – Liria                                0-1
Besa – Drita                                1-0
Trepça ’89 – Prishtina                   1-0
Istogu – Vushtria                          3-1
Liga e Dytë, Grupi ( B) Java e 27-të
Galaksia – Ulpiana                      0-4
Superliga Juniorët  Java e 27- të
Besa – Liria                                  2-1
Liga e Parë Junior  Java e 14-të
Trepça – Ballkani                           1-0