thankyouuefaSot janë zhvilluar pesë ndeshje në kuadër të javës së 29-të në Raiffeisen Superligë, e ku nuk kanë munguar rezultatet befasuese. Kampioni në fuqi dhe lideri në renditjen aktuale, Feronikeli është rikthyer te fitorja pas humbjes së pësuar në fundjavë në Mitrovicë. Skuadra e drejtuar nga Afrim Tovërlani ka shënuar fitore në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas kundër Besës, me rezultat 3:1. Ishin pejanët që kaluan të parët në epërsi me golin e Diar Miftarajt, në minutën e 39-të nga penalltia. Megjithatë, në pjesën e dytë Feronikeli përmbysi rezultatin me golat e shënuar nga Mark Milicaj (51’), Mendurim Hoti (56’) dhe Përparim Livoreka (86’), duke bërë një hap tjetër drejt mbrojtjes së titullit. Do theksuar se para fillimit të ndeshjes lojtarët e të dyja skuadrave u futën në fushën e gjelbër nën ritmin e Ligës së Kampionëve dhe me një banderolë të gjatë me mesazhin “Thank You UEFA”. Fitore para tifozëve të vet ka shënuar edhe Hajvalia dhe atë në duel Trepçën’89, me rezultat 1:0. Golin e vetëm të kësaj sfide e ka shënuar braziliani Sergio Da Luiz, në minutën e 21-të. Tri pikë shumë të rëndësishme në shtëpi i ka arkëtuar edhe Drita në ballafaqim me Vushtrrinë, duke e mposhtur me shifrat 3:1. Golat për Dritën i realizuan Alban Shillova (13’ e 54’) dhe Shqiprim Kelmendi (56’), derisa Daut Maxhuni realizoi golin e barazimit të përkohshëm për vushtrriasit në minutën e 38-të. Fitore befasuese realizoi Istogu në Prizren, duke e mposhtur Lirinë, me rezultat 1:0. Golin e tri pikëve të shpresës për Istogun e shënoi Besmir Fetahu, në minutën e 85-të. Ndërkohë, tri pikë në udhëtim i ka arkëtuar edhe Prishtina, duke e mposhtur Drenicën në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, me rezultat 1:0. Golin e fitores për prishtinasit e shënoi Dren Gashi, në minutën e 90-të. Pas kësaj fitoreje Prishtina i rrit gjasat që t’i shmanget edhe barazhit.
Raiffeisen Superliga: Java e 29-të

Hajvalia – Trepça’89  1-0
Feronikeli – Besa  3-1
Drita – Vushtrria  3-1
Drenica – Prishtina  0-1
Liria – Istogu   0-1
E enjte 05.05.2016 ora 15.00
Llapi – Gjilani                    SSK
N.Rraci. R.Hyseni. M.Berisha. I.Shuleta
Liga e Parë:  Java e 26-të 
Vëllaznimi – Flamurtari 5-1
Fushë Kosova – Dukagjini 2-3
Ballkani – Ferizaj 3-0
Kosova (P) – Vitia  4-1
2 Korriku – Luftëtari 3-1
Ramiz Sadiku – Rahoveci 2-4
Vllaznia (P) – Behari  3-0
E enjte, 05.05.2016 ora 15.00
KEK-u – Trepça