Skuadra kampione në fuqi, Feronikeli, e ka shijuar edhe fitoren e dytë në edicionin e ri në Raiffeisen Superligë. Djelmoshat e drejtuar nga Gani Sejdiu, të premten, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, kanë shënuar fitore kundër Dritës, me rezultat 1:0, në ndeshjen hapëse të javës së dytë. Golin e tri pikëve të reja për Feronikelin e shënoi Mendurim Olluri, në minutën e 45-të. Në pjesën e dytë skuadra drenicase luajti me një lojtar më pak, ngase Fidan Gërbeshi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë pas një dueli me Alban Shillovën. Megjithatë, gjilanasit megjithë mbizotërimin dhe përpjekjet për të barazuar shifrat nuk ia arritën këtij qëllimi, duke u detyruar të pajtohen me humbjen e dytë në këtë edicion.