Skuadra e Feronikelit ka shënuar njërën nga fitore në duel me Prishtinën, me rezultat, 1:0, në ndeshjen e parë të javës së 26-të në Raiffeisen Superligë, që u zhvillua, të martën, në Skenderaj. Golin e vetëm në këtë sfidë e ka shënuar i rikthyeri pas lëndimit, Triumf Shabani. Ai e çoi topin në rrjetën e Mushicës në minutën e 74-t, me gjuajtje me kokë pas harkimit të Flamur Shalës nga gjuajtja e këndit. Në pjesën e parë prishtinasit ishin më të mirë dhe krijuan disa raste të mira shënimi, por nuk e konkretizuan asnjërën prej tyre. Ndërkaq, në 45 minutat e dytë ishte skuadra e Ramiz Krasniqit, e cila e administroi më mirë lojën dhe u shfaq më e rrezikshme, ku si rrjedhojë edhe e gjeti golin e tri pikëve të mëdha.