28 qershor, 2019 – Skuadra kampione e Kosovës, Feronikeli, është kualifikuar në fazën e parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve, pasi sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet e ka mundur kampionin e Andorrës, Santa Coloma, me rezultat 2:1, në ndeshjen finale të rrethit paraeliminator. Për klubin nga Drenasi ky është sukses historik, pasi qysh në debutimin e tij në garat evropiane arriti të kualifikohet në fazën e radhës. Deri te kjo fitore kampioni ynë erdhi me mjaft vështirësi, ngase skuadra mysafire u shfaq shumë e fortë. Në pjesën e parë ishte Feronikeli që e mbizotëroi lojën dhe pati dy mundësi të mira nëpërmjet Mevlan Zekës, por nuk arriti të gjejë golin. Ndërkohë, në pjesën e dytë loja ishte më dinamike dhe si rrjedhojë prodhoi edhe gola. Gjërat për Feronikelin u vështirësuan në minutën e 50-të, kur Yll Hoxha u përjashtua pas një ndërhyrje të ashpër. Epërsinë numerike në fushë mysafirët e shfrytëzuan shumë shpejtë, duke kaluar në epërsi pas vetëm dy minutash me golin e shënuar nga Chus Sosa, me një gjuajtje të fortë nga distanca. Megjithatë, ky gol sikur i ‘zgjoi nga gjumi’ futbollistët e Zekirja Ramadanit, të cilët në vazhdim patën paraqitje shumë më të mirë dhe arritën ta përmbysin rezultatin. Fillimisht shifrat i barazoi Mevlan Zeka, në minutën e 58-të, me një gjuajtje të bukur nga brendësia e zonës, derisa golin e fitores dhe të kualifikimit tutje e realizoi Kastriot Rexha me gjuajtje me kokë, pas asistimit të Astrit Fazliut, në minutën e 86-të. Tani Feronikeli në fazën e parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve do të përballet me kampionin e Uellsit, The New Saints.