21 dhjetor, 2022 – Federata e Futbollit e Kosovës demanton lajmin e publikuar në media të caktuara për kinse moslicencim. FFK njofton opinionin se nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk ka asnjë vendim lidhur me refuzim të aplikimit për rilicencim.

FFK ka aplikuar në afatin e paraparë dhe i ka bashkëngjitur me kohë dokumentet e kërkuara nga Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive (KFLFS). Nga ky komision kemi marrë përgjigje për disa dokumente shtesë dhe menjëherë e kemi informuar se do t’i plotësojmë këto dokumente brenda afatit të caktuar.

Ndonëse ka tendenca nga individë të caktuar, tashmë të njohur për FFK-në dhe për opinionin, për ta penguar dhe për të dhënë opinione kundër rilicencimit, nuk ka asgjë të vërtetë sa i përket refuzimit të aplikimit të FFK-së.
Gjithsesi, qëndrimin e Ministrisë e jep lidershipi i saj, e i cili deri më tash ka qenë dhe është tejet korrekt dhe profesional në raport me federatën.

Pra, nuk ka asgjë të vërtetë nga ajo është publikuar, e që nga individë të caktuar është përhapur me pompozitet në disa media, të cilat ka kohë që njihen për dezinformata ndaj institucionit të futbollit.

FFK ka kapacitete për t’i plotësuar të gjitha kushtet ligjore të kërkuara me aktet ligjore në Kosovë për rilicencim dhe plotësimin e kërkesave nga rregullativa e UEFA-s e FIFA-s.

Në ditë në vijim presim që ky proces të përmbyllet sa më shpejt, në mënyrë që të mos u lihet hapësirë dezinformatave të tilla.