27 mars, 2023 – Ashtu siç e do tradita në prag të ndeshjes kualifikuese për Euro 2024, ndërmjet Kosovës dhe Andorrës, FFK ka shtruar darkë zyrtare për delegacionin e Federatës së Futbollit të Andorrës, në krye me sekretarin e përgjithshëm, David Rodrigo. Me këtë rast nënkryetari Bakir Burri duke iu dëshiruar mysafirëve mirëseardhje në Kosovë, i njoftoi ata për rrjedhat e futbollit kosovar ndër vite dhe për progresin e bërë viteve të fundit edhe në aspektin e klubeve, por edhe në atë të ekipeve kombëtare. Ai theksoi se Kosova, ashtu sikurse Andorra, është një vend i vogël, por me potencial të madh në futboll, falë dëshirës së madhe të të rinjve për t’u marrë me futboll që nga moshat e hershme. Mysafirët falënderuan FFK-në për mikpritjen e ngrohtë, derisa të dyja palët u pajtuan që të rrisnin bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të dyanshëm dhe të shkëmbejnë përvojat. Në fund, krahas urimeve për lojë korrekte në ndeshjen e nesërme, u shkëmbyen edhe dhurata.