Sot më 10 gusht në hotel “Emerald” u mbajt konferenca me gazetarë, ku ishin të pranishëm kryetari i FFK-së Fadil Vokrri, sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu dhe drejtori i Raiffeisen Bank z. Robert Wright. Duke e përshëndetur drejtorin RFB-së, z. Wright dhe mediat e shumta, kryetari Vokrri tha: “ Ky është viti i 8-të që po vazhdojmë partneritetin tonë të bashkëpunimit me Raiffeisen Bank dhe kjo fletë shumë jo vetëm për shumën mbështetëse por mbi të gjitha edhe për jetëgjatësinë e bashkëpunimit që ne e vlerësojmë shumë. Kjo bankë na ka mbështetur në një kohë kur kishim tepër nevojë dhe po vazhdon të na mbështesë edhe tash. Kur kishim filluar partneritetin bashkë me z. Wright kishim thënë së bashku do t’ia arrijmë qëllimit tonë për pranim në UEFA dhe FIFA dhe tani ky qëllim është më afër se kurrë më parë, andaj edhe kemi caktuar këtë ditë që të vazhdojmë bashkëpunimin pikërisht një ditë para nisjes së delegacionit të FFK-së në Nyon në takim me zyrën Ligjore te UEFA-s. FFK-ja dhe klubet e futbollit sigurisht se i janë mirënjohës Raiffeisen Bank sepse të gjithë kemi përfituar nga mbështetja e saj”. Ndërkaq nga ana e tij drejtori i Raiffeisen Bank, z. Robert Wright duke e përshëndetur z. Vokrri dhe mediat është shprehur: ”Unë do të filloj duke thënë se kjo konferencë për shtyp është më e veçantë për mua se ato të mëparshmet. Arsyeja nuk është vetëm për shkak se ne jemi duke nënshkruar një kontratë vjetore për të vazhduar partneritetin tonë, por për shkak se Kosova tashmë ka organizuar dhe ka luajtur me sukses ndeshje ndërkombëtare të futbollit. Kjo më bën të besoj se më shumë se kurrë Federata e Futbollit e Kosovës është një hap më afër për t’u bërë anëtare e organizatave ndërkombëtare të futbollit FIFA dhe UEFA. Tetë vite më parë, kur kemi filluar bashkëpunimin tonë, ne kemi qenë të vetëdijshëm se do të jetë një udhëtim i gjatë dhe i vështirë, për të arritur këtë qëllim. Megjithatë, duke parë angazhimin e fuqishëm dhe punën e madhe të FFK-së, Raiffeisen Bank vendosi të jetë një partner i Federatës dhe të qëndrojmë me ta derisa të arrihet ky qëllim. Edhe pse askush nuk mund të thotë ende datën kur do të bëhet Kosova anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s, unë besoj se brenda vitit tonë të tetë të partneritetit do të përmbushet ky objektiv. Dhe nëse kjo ndodh, dhe nëse FFK-ja nuk do të ketë nevojë për mbështetjen tonë, unë mund t’iu siguroj se Raiffeisen Bank dhe unë personalisht do të vazhdojmë të jemi një nga tifozët më të mëdhenj të Përfaqësueses së Kosovës”, ka thënë z.Wright.