kosova-haiti-005Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA), i është përgjigjur Federatës së Futbollit të Serbisë, pas ankesës që kjo e fundit e ka parashtruar në shtëpinë e futbollit botëror për miqësoren ndërmjet Kosovës dhe Haitit, me preteksin se FFK-ja nuk i ka respektuar modalitetet e caktuara më 13 janar për ndeshjet miqësore.
Ndërkohë, FIFA përmes një njoftimi ka bërë të ditur se Kosova i ka respektuar në tërësi modalitetet dhe kësisoj i ka hedhur si të pabaza pretendimet e palës serbe. “Jemi të befasuar me ankesat që kemi marr në letrën që po iu referohemi… Në letrën e juaj thuhet se nuk është respektuar pika e dytë e marrëveshjes së 10 janarit. Në pikën e dytë thuhet se FFK-ja nuk mund të vendos simbolet kombëtare (flamuri, emblema etj) ose himnin kombëtar. Sidoqoftë, ata janë të lejuar të bartin emrin Kosova në fanella dhe yllin. Pas shikimit të detajizuar të letrës tuaj dhe bazuar në raportin e delegatit të FIFA-së që ka vëzhguar këtë lojë, mund t’iu konfirmojmë se delegati i FIFA-së siguron që pika e dytë e marrëveshjes së 10 janarit është vëzhguar. FIFA sqaron se emblema e FFK-së e vendosur në fanella, nuk dëshmon simbol kombëtar të Kosovës. As FFK-ja as FIFA në asnjë mënyrë nuk kanë shkelur marrëveshjen e 10 janarit”, thuhet në letrën e FIFA-s, që ia ka dërguar Federatës serbe, një kopje të së cilës i është përcjellur edhe FFK-së.