8 gusht, 2018 – Me një minutë heshtje në nderim të ish-presidentit, Fadil Vokrri ka filluar seminari pesëditorë për gjyqtarë. Punimet e seminarit i hapi kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, z. Përparim Hasani, ndërkaq në fjalën e tij përshëndetëse para të pranishmëve sekretari i përgjithshëm z. Eroll Salihu tha: ”Me lejoni që në emrin tim dhe të presidentit të FFK-së, z. Agim Ademi të ju urojë punë të mbarë. Njëherësh e falënderoi instruktorin e FIFA-s, z. Alan Snoddy, i cili tashmë është shndërruar edhe në një mik tonin dhe i cili për kaq vite ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen profesionale të gjyqtarëve duke sjellë përvojën e tij shumëvjeçare te ju. FFK-ja i jep shumë rëndësi ngritjes profesionale të gjyqtarëve si segment shumë i rëndësishëm i futbollit që ndikon shumë në mbarëvajtjen e garave. Unë besoj dhe shpresoj se nga ky seminar do të fitoni njohuri të reja për rregullat e futbollit si dhe për ndryshimet e reja. Ndaj ju uroj që gjatë këtyre ditëve sa do të zgjasë ky seminar do të shfrytëzoni rastin të përfitoni sa më shumë dije për zejen e gjyqtarit”.
Në këtë seminar janë përfshirë 45 gjyqtarë. Ligjërues janë ekspertët më të mirë të kësaj fushe, si z. Alan Snoddy – instruktor i FIFA‐së, instruktor i fitnesit: Simon Breivik –trajner i fitnesit i Gjyqtarëve të Premier Ligës Angleze. Pastaj ligjërues për përgatitje mentale z. Ridvan Ekmekci – Profesor në Universitetin Pamukkale dhe ligjërues z. Bekim Zogaj – gjyqtar asistent i FIFA‐së. Kështu gjatë këtyre pesë ditëve dhe nga këta ekspertë gjyqtarët e futbollit do të mësojnë përvojat dhe masat për lojën me dorë, ndryshimet e rregullave të lojës me video klipe, pozicionet jashtë lojës dhe bashkëpunimi e puna në grupe. Do të ketë edhe teste intervalore të FIFA. Pastaj edukimi dhe përgatitja mentale e gjyqtarëve, komunikimi dhe gjuha e trupit, teknikat dhe metodat për përgatitjen e ndeshjes si dhe përgatitjet fizike me fitnes. Ky seminar është i mirëseardhur për Komisionin dhe vet gjyqtarët për të parë nivelin e përgatitjes para fillimit të edicionit të ri të garave.