8 korrik, 2020 – Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e para të javës së 29-të në Ipko Superligë. Gjilani ka shënuar fitore në shtëpi në duelin tejet të rëndësishëm kundër Prishtinës, me rezultat 2:1, në një ndeshje që në fund ka ngjallur polemika. Në pjesën e parë të dyja ekipet zhvilluan lojë të fortë, por mbrojtjet e të dyja skuadrave ishin në nivelin e detyrës. Ndeshja mori rrjedhë tjetër në minutën e 48-të, kur Prishtina mbeti me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit të portierit Visar Bekaj, për ndërhyrje jashtë zonës së 16-metërshit. Pikërisht nga kjo ndërprerje gjilanasit kaluan në epërsi, kur Franc Veliu me gjuajtje të shkëlqyeshme realizoi për 1:0. Prishtina u përpoq të kundërpërgjigjet menjëherë, por pësoi nga një kundërsulm i shpejt dhe dalje e pasigurt e portierit Eglant Haxho, të cilën e shfrytëzoi Gerhard Progni për 2:0. Në vazhdim Prishtina u përpoq me të gjitha forcat për të ndryshuar epilogun e takimit, por nuk arriti më shumë se sa të shënojë golin e nderit në minutën e 81-të, kur Armend Thaçi realizoi gol të bukur nga gjuajtja e lirë. Me këto tri pikë Gjilani ngjitet në pozitën e tretë, me 58 pikë, derisa Prishtina zbret në pozitën e katërt. Fitore me rezultat bindës realizoi Ballkani, duke e mposhtur Llapin, me shifrat 5-1. Blend Baftiu shënoi dy gola, ndërsa Topalli, Krasniqi e Magani shënuan nga një gol në fitoren e Ballkanit për pozitën e dytë në renditje. Fitore me vlera të mëdha ka arritur edhe Drenica në garën për mbijetesë në përballje me Ferizajn, me rezultat 3:0, me dy gola të Shillovës dhe një gol të Hysenit.