prishtina-drenicaJava e 20-të në Raiffeisen Superligë është mbyllur me katër ndeshjet e sotme. Karakteristikë e kësaj jave është fakti që skuadrat mysafire nuk fituan asnjë pikë. Feronikeli e Prishtina shënuan fitore të reja, duke përforcuar dy pozitat e para në renditje. Skuadra kryesuese, Feronikeli, e ka mposhtur skuadrën e fundit në renditje, Ferizaj, në stadiumin “Bajram Aliu” në Ferizaj, me rezultat 4:0. Të katër golat skuadra nga Drenasi i realizoi në pjesën e dytë. Fillimisht shënoi Lapidar Lladrovci, në minutën e 74-t. Shifrat në 2:0 i çoi Mendurim Olluri, tre minuta më vonë, kurse i njëjti futbollist shënoi edhe një herë në minutën e 80-të. Ndërkohë, rezultatin përfundimtar të kësaj sfide e vendosi Lulzim Doshlaku, në sekondat e fundit të ndeshjes. Fitore bindëse realizoi edhe Prishtina në shtëpi, duke e mposhtur Drenicën, 3:0. Labinot Osmani shënoi për epërsinë e Prishtinës në minutën e 43-të, falë edhe një intervenimi të dobët të portierit Burim Sadiku. I njëjti futbollist shënoi edhe golin e dytë në minutën e 77-të kur e çoi në rrjetë topin e kthyer nga shtylla pas gjuajtjes së Mentor Zhdrellës. Ndërkaq, rezultatin përfundimtar e vulosi Gentrit Begolli, me një supergol nga 20 metra. Skuadra tjetër kandidate për titull, Hajvalia u ndal në “Demush Mavraj”, nga Istogu, duke pësuar humbje 2:1. Të dy golat për Istogun i realizoi Besnik Krasniqi (84’ e 90’+4), derisa golin e epërsisë së përkohshme për Hajvalinë e realizoi Mërgim Pevqeli, në minutën e 5-të. Fitore si vendas shënoi edhe Kosova e Vushtrrisë, që e mposhti Trepçën, 1:0, me golin e Faruk Statovcit.