16 shtator, 2018 – Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e fundit të javës së 5-të në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra kryesuese, Flamurtari mbetet ende e pamposhtur, pasi në kuadër të kësaj jave ka arkëtuar një pikë në Podujevë, duke e mbyllur takimin me Llapin, 0:0. Llapjanët treguan lojë sulmuese dhe u angazhuan maksimalisht për të gjetur rrugën e golit, por hasën në një mbrojtje të ngjeshur dhe të suksesshme të kuqezinjve të kryeqytetit, të cilët në fund me meritë iu gëzuan një pike. Pa fitues, por me gola u mbyll edhe ndeshja në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, ndërmjet Trepçës’89 dhe Drenicës. Të parët në epërsi kaluan vendasit me golin e shënuar nga Mariglen Shoshi, nga penalltia në minutën e 3-të, mirëpo shifrat i barazoi Taulant Dajaku po nga penalltia, në minutën e 38-të. Ndërkaq, Liria u tregua e pamëshirshme në duel me KEK-un, duke e mposhtur 6:2. Golat për Lirinë i shënuan Fatih Karahoda (30’, 89’), Qëndrim Gashi (40’, 67’), Liridon Fetahaj (45’) dhe Robert Gjeraj (55’), derisa për KEK-un shënuan Treviol Stullqaku (65’) dhe Atdhe Grajqevci (75’).