3 prill, 2022 – Derbi i javës së 27-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll ndërmjet Gjilanit dhe Ballkanit është ndëprerë pak sekonda para përfundimit të kohës shtesë. Ndërprerja ka ardhur si pasojë e sulmit fizik që është bërë nga shikuesit e skuadrës vendase ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri. Sulmi ndodhi në momentin që Gjilani arriti të barazojë rezultatin me golin e portierit Enea Koliqi. Ky i fundit shënoi me gjuajtje me kokë pas harkimit të Yll Hoxhës. Goli i shënuar në sekondat e fundit të ndeshjes bëri që tifozët gjilanas të hyjnë në fushën e lojës për të festuar, e ku dy prej tyre e bënë një veprim qyqar dhe huligan, duke e sulmuar portierin mysafir. Si pasojë e dhunës së shfaqur ndaj tij, ai, me autoambulancë u dërgua për trajtim të mëtutjeshëm në spital. Si rrjedhojë ndeshja u ndërpre dhe tani i mbetet Komisioneve të FFK-së për ta shqyrtuar rastin dhe për të marrë veprimet rreth këtij incidenti.
Ballkani golin e epërsisë e kishte shënuar qysh në sekondat e para të ndeshjes nëpërmjet Ermal Krasniqit, derisa gjatë tërë kohës u zhvillua lojë e fortë dhe interesante, por që skenat e dhunës në fundin e ndeshjes i vendosen hije të keqe këtij derbi dhe futbollit tonë.
Në ndeshjen tjetër, e cila u zhvillua në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, Drenica e mundi me lehtësi skuadrën e Feronikelit, me shifrat 6:0. Kreshnik Uka realizoi tre gola (19’, 75’, 88’), derisa nga një gol e shënuan Osman Mëziu (12’), Erdin Dushi (64’) dhe Bleoan Sekiraqa (90’+5’).