23 tetor, 2019 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 11-të në Ipko Superligë. Gjilani ka shënuar fitore në duel me Llapin, me rezultat bindës, 3:0, duke u ngjitur tashmë i vetëm në pozitën e parë në renditje, me 24 pikë. Rezultati u zhbllokua në minutën e 42-të, kur Tomislav Busiç i kaloi vendasit në epërsi. Gjilani e shtoi epërsinë në 2:0 me golin e Bedri Grecës, në minutën e 72-të pas asistimit të Erlis Frashërit, derisa shifrat përfundimtare të ndeshjes i vendosi Gerhard Progni, me golin e shënuar në minutën e 85-të. Fitore me rezultat të njëjtë realizoi edhe Drenica në përballje me Dukagjinin. Golat për kuqezinjtë e Skenderajt i shënuan Harmon Gbowea në minutat e 25-të dhe 88-të dhe Diar Mustafa në minutën e 57-të. Ndërkohë, Trepça’89 e mundi Ferizajn me rezultat minimal, 1:0. Golin e tri pikëve të reja për “minatorët” e shënoi futbollisti i vendasve, Ardian Shaljani, i cili në tentim për ta larguar topin realizoi në portën e skuadrës së tij. Nesër do të zhvillohen dy ndeshjet e fundit të kësaj jave, ku takohen Prishtina – Drita dhe Ballkani – Flamurtari.