14 korrik, 2022 – Gjilani është ekipi i parë kosovar që eliminohet nga garat evropiane. Skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani nuk ka mundur ta ruajë epërsinë nga ndeshja e parë në “Fadil Vokrri” (1:0), duke pësuar humbje në udhëtim në Letoni ndaj Liepajas, me rezultat 3:1. Pjesa e parë u mbyll pa gola, teksa në pjesën e dytë skuadra letone e dominoi lojën. Rezultatin e zhbllokoi Arturs Karasausks (49’) nga penalltia. Gjilani arriti të rikthehet shpejt me golin e Blerim Krasniqit pas asistimit të Keita Razak në minutë e 51-të. Megjithatë, në minutat në vazhdim skuadra letone u shfaq më e rrezikshme dhe shënoi edhe dy herë. Nemanja Belakoviq në minutë e 64-t e riktheu epërsinë e vendasve, teksa braziliani Dodo shënoi nga penalltia në minutën e 88-të për t’ia siguruar skuadrës së tij kalimin në rrethin e dytë, ku i pret skuadra e njohur zvicerane, Young Boys.