30 shtator, 2016 – Skuadra e Gjilanit iu gëzua fitores në derbin e madh të javës së 7-të në Vala Superligë, duke e mposhtur Dritën, me rezultat 1:0. Edhe këtë herë derbi i Anamoravës dhuroi spetakël në tribuna, ku tifozeritë e të dyja skuadrave ishin maksimalisht të organizuar për t’i dhënë hijeshi kësaj ndeshje. Ndërkohë, loja në fushë ishte me ritëm të kënaqshëm, por me raste të pakta shënimi, pasi të dyja skuadrat ishin tejet të kujdesshme në repartin e mbrojtjes. Goli i fitores për Gjilanin erdhi në minutën e 97-të (gjyqtari Genc Nuza e vazhdoi lojë për 13 minuta për shkak të disa ndërprerjeve si rrjedhojë e hedhjeve të flakadanëve në fushë), kur Ylber Kastrati shënoi me kokë pas harkimit nga ndërprerja të Isa Eminhazirit.