Gjakova-11Skuadra e Gjilanit ka realizuar fitoren e dytë në edicionin e ri në Raiffeisen Superligë. Pas fitores në derbin e javës së parë kundër Dritës (3:0), Gjilani ka arkëtuar tri pikë të reja para tifozëve të vet në përballje me Lirinë, me rezultat 3:1. Gjilanasit kaluan në epërsi në minutën e 30-të me golin e Isa Eminhazirit, pas harkimit të Besnik Krasniqit. Këta dy futbollist ishin më meritorët për dyfishimin e epërsisë në minutën e 65-të, pasi ishte sërish Krasniqi ai që harkoi, derisa Eminhaziri me kokë shënoi për 2:0. Dominimi i gjilanasve vazhdoi edhe në minutat në vijim dhe si rrjedhojë erdhi edhe goli i tret, kur Eminhaziri asistoi për Gëzim Rusin, i cili çoi shifrat në 3:0 në minutën e 73-të. Në anën tjetër prizrenasit e tëra çfarë arritën të bëjnë ishte goli i ngushëllimit, të cilin e shënuan në minutën e 77-të nëpërmjet Florim Bërbatovcit. Në ndeshjen tjetër që u zhvillua sot në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë, Besa dhe Vushtrria e mbyllën duelin pa gola. Pejanët patën më shumë raste shënimi, por nuk arritën të gjejnë rrugën e golit, ngase vushtrriasit u mbrojtën mjaft mirë.