24 shkurt, 2022 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit të javës së 21-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll. Gjilani ka shënuar fitore në shtëpi, duke e mundur Dukagjinin, me shifrat 2:1. Dy golat për Gjilanin, i shënoi kapiteni Gerhard Progni. Ai ishte i saktë dy herë nga penalltia në minutën e 25-të dhe 64-t, derisa golin e vetëm për Dukagjinin e realizoi Mentor Zhdrella po ashtu nga penalltia (59’). Ndërkaq, Prishtina pas katër humbjeve rresht ka arritur të marrë një pikë si mysafire e Drenicës. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, përfundoi pa gola. Pas këtij barazimi Prishtina mbetet në pozitën e gjashtë me 25 pikë, ndërsa Drenica zë vendin e pestë me 28 pikë.

Rezultatet e javës së 21-të
Ballkani – Ulpiana 3:0
Llapi – Feronikeli 4:2
Malisheva – Drita 1:2
Drenica – Prishtina 0:0
Gjilani – Dukagjini 2:1