gjilani-hajvaliaGjilani dhe Hajvalia e kanë mbyllur pa fitues dhe pa gola ballafaqimin e tyre që u zhvillua sot në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, në kuadër të javës së 15-të në Raiffeisen Superligë. Të dyja skuadrat zhvilluan një lojë të hapur dhe patën mundësi shënimi, por nuk arritën të gjejnë rrugën e golit. Rastin e parë e patën mysafirët, kur Semir Zeneli u ndodh i vetëm në zonë, por gjuajti përskaj shtyllës së portierit gjilanas, Faton Maloku.  Gjashtë minuta më vonë Besnik Krasniqi ishte afër t’i kalojë vendasit në epërsi, por gjuajtja e tij nga ndërprerja e qëlloi  shtyllën e portierit Petrit Tahiri.  Rastet e mira nuk munguan as në pjesën e dytë. Në minutën e 61-të Granit Arifaj i mysafirëve doli i vetëm me portierin Maloku, por gjuajti mbi portë. Në anën tjetër mundësinë më të mirë për gjilanasit në këtë pjesë e pati Isa Eminhaziri, i cili doli i vetëm me portierin Tahiri pas gabimit të Arifajt, por e çoi topin jashtë kuadratit të portës. Ndërkohë nga minuta e 83-të Gjilani luajti me një lojtar më pak, pasi Besnik Krasniqi u përjashtua pas ndëshkimit me kartonin e dytë të verdhë. Pas këtij barazimi Gjilani aktualisht zë pozitën e tretë, me 25 pikë, derisa Hajvalia gjendet një pozitë më poshtë, me 24 pikë.