23 shtator, 2020 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e tjera të javës së dytë në Superligë, në të cilat u takuan Ballkani-Feronikeli dhe Llapi-Gjilani. Të dyja ndeshjet filluan me një minutë heshtje në nderim të kontribuuesit të madh të futbollit kosovar, ish-kryetarit të SC “Gjilani”, Shukri Sylejmani. Gjilani shënoi fitore si mysafir në stadiumin “Zahir Pajaziti”, duke e mposhtur Llapin, me rezultat 1:0. Golin e fitores e realizoi Darko Nikac pas asistimit të Prognit, në minutën e 63-të. Gjilanasit patën mundësi për të kaluar në epërsi më herët, por Fiton Hajdari nuk realizoi nga pika e bardhë në minutën e 53-të. Në ndeshjen tjetër, Ballkani realizoi fitore në përballje me Feronikelin, me rezultat 3:2. Mirlind Daku shënoi “hat-trick”-un e dytë në këtë edicion, duke realizuar në minutat 5’, 24’ e 64’, por në minutat e fundit Feronikeli arriti të shënojë dy gola nëpërmjet brazilianit Marclei, duke e bërë epilogun e ndeshjes të paqartë deri në sekondat e fundit. Paraprakisht Dabiqaj nuk realizoi nga penalltia.