19 mars, 2022 – Gjyqtarët kosovarë vazhdojnë të jenë pjesë e eventeve të rëndësishme në kuadër të UEFA-s. Gjatë këtij muaji gjyqtarët Genc Nuza dhe Besfort Kasumi, së bashku me asistentët Bujar Selimaj dhe Fatlum Berisha do të jenë të angazhuar në ndeshjet e “Elite Round” për kombëtaret e grupmoshës 17-vjeç. Besfort Kasumi do ta ndajë drejtësinë në ndeshjet e Grupit 8 që zhvillohen në Portugali, prej 23 deri më 29 mars. Ai do të jetë gjyqtar kryesor në ndeshjen e parë Bullgari – Finlandë dhe në ndeshjen Republikë e Irlandës – Finlandë, si dhe gjyqtar i katërt në duelin Portugali – Finlandë. E në të tri këto ndeshje asistent do të jetë Fatlum Berisha. Ndërkaq, Nuza do të ndajë drejtësinë në ndeshjen Angli-Luksemburg në kuadër të Grupit 5 që zhvillohet në Luksemburg, më 29 mars, me asistimin e Bujar Selimajt dhe norvegjezit Ole Andreas Hauksen, derisa do të jetë gjyqtar i katërt në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Luksemburg – Francë. Nuza ishte përcaktuar të jetë gjyqtar kryesor edhe në ndeshjen Francë – Rusi, por kjo e fundit është përjashtuar nga garat për shkak të agresionit në Ukrainë. Delegimi i gjyqtarëve kosovarë nga UEFA në një fazë të tillë të kualifikimeve të kombëtareve U17 dëshmon punën dhe vlerësimin e mirë që ata kanë marrë në paraqitjet e deritashme në garat ndërkombëtare.