9 shtator, 2023 – Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Primozh Gliha dhe kapiteni Amir Rrahmani janë paraqitur në konferencën zyrtare në prag të ndeshjes kundër Zvicrës, e cila zhvillohet nesër në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”. Që të dy janë shprehur të vetëdijshëm për kualitetin e lartë që ka ekipi zviceran, por kanë premtuar se ekipi dardan do të japë maksimumin. “Nëse dëshiron të kesh sukses, gjithmonë duhet të jesh në gjendje të punosh nën presion dhe ta përballosh atë. Nëse doni alibi, atëherë mund të thuash se kishte presion. Në futboll duhet të kemi mendime pozitive dhe të marrim maksimumin në secilën ndeshje”, ka thënë Gliha. Ai tutje ka thënë se gjatë këtyre pesë ditëve të grumbullimit kanë punuar mirë dhe janë munduar të gjejnë zgjidhjet e duhura për ta përballuar kundërshtarin. Sa i përket mundësisë që në formacion të ketë ndonjë befasi dhe inkuadrim të lojtarëve të rinjë si Albion Rrahmani e Meriton Korenica, Gliha është shprehur: “Ata janë të ri, por janë të mirë dhe kjo është e rëndësishme. Përgjegjësia është shumë e madhe për ta në një ndeshje ndaj një kundërshtari të fortë si Zvicra. Të shohim cilat do të jenë vendimet, kemi disa probleme me lëndime. Nuk mund të flasë më shumë rreth formacionit, por mund të them se do të jetë e vështirë për të gjithë ata që do të luajnë”. Ndërkaq, kapiteni Rrahmani e ka vlerësuar Zvicrën si një kundërshtar shumë të fortë. “Lujamë kundër më të fortit në grup dhe këtë ndeshje e mirëprisnim, ndonëse jo në këtë moment, pasi kemi shumë nevojë për pikë. Megjithatë jemi të përgatitur për të bërë më të mirën në fushë”, ka thënë Rrahmani, për të shtuar: “Zvicra është një kombëtare shumë e fortë dhe shkon gjithmonë në Evropian apo Botëror. Janë shumë të fortë dhe bëhen edhe më të fortë me futbollistët shqiptarë që kanë në grup”.