Skuadra e Hajvalisë ka shijuar fitoren e tretë në këtë edicion të Raiffeisen Superligës. Skuadra e drejtuar nga Synaj Keçi, të premten, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 4-t e ka mposhtur Trepçën, me rezultat 2:1. Kjo fitore ia ka mundësuar Hajvalisë që ta marrë kryesimin e renditjes, me 10 pikë, një më shumë se Feronikeli i pozitës së dytë. Në pjesën e parë rrjetat mbetën të paprekura, derisa në 45 minutat e dytë u realizuan tre gola. Të parët në epërsi kaluan futbollistët e Hajvalisë me golin e Fillim Guraziut, në minutën e 68-të, por tre minuta më vonë Shpëtim Babaj e riktheu baraspeshën në rezultat. Megjithatë, vendasit nuk u demoralizuan as pas barazimit dhe në minutën e 81-të shënuan golin e tri pikëve të reja nëpërmjet Semir Zenelit.