Hajvalia ka realizuar fitore me rezultat bindës kundër Trepçës’89, me shifrat 3:0, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 16-të në Raiffeisen Superligë. Hajvalia ka dominuar plotësisht në sfidën e zhvilluar në stadiumin e Kizhnicës, duke iu gëzuar me meritë fitores së tetë në këtë edicion, e cila ia mundëson pozitën e tretë në renditje, me 27 pikë, tri më pak se dyshja kryesuese, Feronikeli e Llapi. Në anën tjetër për Trepçën’89 kjo ishte humbja e pestë radhazi. Hajvalia e zhbllokoi rezultatin në minutën e 25-të, kur Shkëlqim Pacolli shënoi me gjuajtje me kokë pas harkimit të Veton Shabanit. Vetëm tre minuta më vonë vendasit e dyfishuan epërsinë me golin e realizuar nga Liridon Leci nga gjuajtja e lirë. Ndërkohë, punët Trepçës’89 për të bërë kthesë në rezultat iu vështirësuan në minutën e 50-të, kur Edmond Turku u përjashtua nga loja pas ndëshkimit me karton të kuq (pas dy të verdhëve). Epërsinë numerike në fushë Hajvalia e shfrytëzoi dhe arriti që në minutën e 71-të të shënojë edhe golin e tretë, kur Liridon Leci shënoi sërish, kësaj radhe me gjuajtje me kokë pas harkimit të Veton Shabanit.