25 gusht, 2022 – Kampioni në fuqi i Kosovës, FC Ballkani ka shkruar faqe të re në futbollin kosovar. Skuadra portokallezi ka arritur të kualifikohet në fazën e grupeve në UEFA Conference League, duke u bërë klubi i parë nga Kosova që arrin në këtë nivel të garave evropiane. Ballkani, të enjten në mbrëmje, në stadiumin e stërmbushur “Fadil Vokrri” në Prishtinë e ka mposhtur kampionin e Maqedonisë së Veriut, klubin shqiptar, FC Shkupi, me rezultat 1:0. Kësisoj, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja është kualifikuar tutje me rezultatin e përgjithshëm pas dy ndeshjeve, 3:1. Këtë sukses suharekasit e arritën qysh në debutimin e tyre në garat evropiane. Golin e fitores për Ballkanin e shënoi Meriton Korenica, në minutën e 69-të. Do theksuar se që nga minuta e dytë Shkupi luajti me një lojtar më pak, pas përjashtimit të Xhelil Abdulla. Tani Ballkanin e presin të paktën gjashtë ndeshje në fazën e grupeve, derisa kundërshtarët do t’i mësojë të premten kur bëhet tërheqja e shortit.