Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino e ka uruar presidentin Agim Ademi për mandatin e tij 4 vjeçar në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës. Kreu i FIFA-s në letrën e urimit ka theksuar se do të jetë kënaqësi për të që ta ftojë presidentin Ademin së shpejti për vizitë në selinë e FIFA-s në Cyrih, teksa ka thënë se së shpejti do të takohen në Kupën e Botës në Rusi.
Letër urimi presidenti Ademi ka marrë edhe nga presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin. Ky i fundit në letrën e tij ka shprehur dhimbjen e tij  për humbjen e papritur të presidentit Fadil Vokrri, derisa ka theksuar se Ademi, i cili ishte zëvendëspresident i FFK-së deri tash, është njeriu më i përshtatshëm për president, teksa e ka nxitur atë të vazhdojë punën e deritashme për të siguruar sa më shumë ambient të përshtatshëm për të luajtur lojën e futbollit.