11 maj, 2018 – Kampioni i Kosovës do të përcaktohet në javën e fundit të Vala Superligës. Në fakt, përballja direkte ndërmjet dy skuadrave pretenduese, Prishtinës dhe Dritës, do ta japë emrin e kampionit të ri. Në ndeshjet që u zhvilluan sot në kuadër të javës së 32-të, këto dy skuadra shënuan fitoret e radhës, duke bërë që gjithçka rreth titullit të vendoset pikërisht në javën e fundit të kampionatit. Drita shënoi fitore para tifozëve të vet në përballje me Trepçën’89, me rezultat 3:1. Të parët në epërsi kaluan futbollistët mysafirë me golin e shënuar nga Oto John, në minutën e 5-të. Kjo epërsi e mitrovicasve mbeti deri në minutën e 53-të, kur Ilir Izmaku shënoi autogol, për t’i barazuar shifrat, derisa gjashtë minuta më vonë Astrit Fazliu shënoi golin e epërsisë për Dritën. Ndërkohë, në minutën e 77-të fitoren e Dritës e vulosi Fidan Gërbeshi nga penalltia. Në anën tjetër, Prishtina ka vuajtur maksimalisht në duelin e zhvilluar në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren kundër Lirisë, duke fituar në fund me rezultat 1:0. Golin, i cili e shmangu festën e Dritës dhe njëherësh e mbajti në garë Prishtinën për titull të kampionit për 90 minutat final të kampionatit, e realizoi Mërgim Pevçeli me gjuajtje me kokë pas harkimit të Armend Dallkut, në minutën 90’+4’, duke krijuar festë të jashtëzakonshme në mesin e tifozëve prishtinas. Në ndeshjet tjetër të ditës së sotme, Llapi shënoi fitore para tifozëve të vet në duel me Flamurtarin, me rezultat 3:1. Dy gola për llapjanët i shënoi Mirlind Daku (21’, 28’), derisa me një gol kontribuoi Mentor Zhdrella. Golin e nderit për kuqezinjtë e kryeqytetit e shënoi Samir Sahiti nga penalltia (78’).