21 maj, 2019  –  Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, sot, mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e presidentit z. Agim Ademi e ku diskutoi për shumë çështje. KE analizoi përfundimin e garave të Kampionatit të Kosovës në të gjitha rangjet dhe konstatoi se kampionati pati një rrjedhë normale sipas orarit dhe dinamikës së paraparë. Me këtë rast u  konstatua se ky ishte kampionati më joshës, cilësor me një rivalitet të madh sportivë si për titull kampioni ashtu edhe në luftën për mbijetesë. Ky kampionat u shqua edhe për organizim më të mirë të klubeve.  KE diskutoi për përgatitjet për ndeshjet e barazhit si në Ipko Superlogë dhe Ligën  e Parë që do të rrumbullakojnë edicionin garues, kështu që kërkoi nga të gjitha organet që këto ndeshje të organizohen në mënyrën sa më të mirë të mundshme. Po ashtu KE debatoi edhe për përgatitjet për ndeshjet finale të DigitAlb Kupës së Kosovës në konkurrencën e meshkujve dhe të femrave, duke konstatuar se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet e duhura dhe çdo gjë është e gatshme për zhvillimin e tyre. Ndeshja në konkurrencën e femrave Kosova (P)-Mitrovica do të zhvillohet më 22 maj në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 19.00, ndërsa finalja në konkurrencën e meshkujve Trepça 89 – Feronikeli do të zhvillohet më 24 maj në orën 20.45 po ashtu në stadiumin “Fadil Vokrri”. Temë diskutimi në mbledhjen e sotme ishin edhe përgatitjet për ndeshjet kualifikuese të Kombëtares A si dhe Kombëtares U21 dhe për të cilat u konstatua se gjithçka po shkon sipas planit dhe orarit dhe çdo gjë është e gatshme për sfidat e radhës. Kombëtarja A së pari udhëton në ndeshjen me  Malin e Zi në Podgoricë dhe ndeshjen tjetër kundër Bullgarisë në Sofje, ndërkaq Kombëtarja U21 udhëton në ndeshjen kundër Andorës, ndërsa në shtëpi ballafaqohet me Turqinë. KE diskutoi edhe për gjetjen e modaliteteve për sistemin e ri të garave për të gjitha Ligat për edicionin 2020/2021 dhe u vendos që të merren opinione dhe mendime edhe të njohësve të futbollit. KE shqyrtoi edhe kërkesat dhe parashtresat drejtuar këtij organi.