2 gusht, 2017 – Sot Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, nën drejtimin e presidentit Fadil Vokrri mbajti mbledhjen e radhës ku diskutoi për shumë çështje me rëndësi. KE shqyrtoi përgatitjet për kampionatin e ri ku u konstatua se të gjitha organet po punojnë në përgatitjen për një fillim më të suksesshëm të garave. Në këtë drejtim është duke u mbajtur seminari për gjyqtarë dhe kontrollorë për herë të parë nën përkujdesjen e FIFA-s si dhe në vazhdim do të mbahet  seminari edhe për vëzhgues. Komisioni për inspektimin e terreneve sportive dhe objekteve përcjellëse ka dalë në vend shikim dhe ka konstatuara gjendjen si dhe ka dhënë vërejtjet për mënjanimin e të metave. Komisioni ka konstatuar se shumë nga klubet  nuk kanë vend dhe hapësirë adekuate për media si ato të shkruara dhe elektronike sikur që ka konstatuar edhe gjendjen jo të mirë të zhveshtoreve me theks të veçantë nyejve  sanitare. Këtë konstatim KE e mori me shqetësim dhe seriozitet të madh aq më parë që FFK-ja më herët kishte ndarë mjete financiare pikërisht për këtë qëllim, ndaj u  bën thirrje të gjitha  klubeve që të sigurojnë hapësirë dhe vende adekuate për media dhe të përmirësojë gjendjen në zhveshtore, në të kundërtën pa përmbushjen e këtyre kushteve  nuk do t’u jepet leja për zhvillimin e ndeshjeve në këtë kampionat. Në këtë drejtim, me qëllim që  klubeve t’u jepet kohë e mjaftueshme  KE mori vendim që nga kampionati 2019/2020 asnjë klub i Superligës nuk mund të zhvillojë ndeshje në stadiumin i cili nuk i plotëson kriteret për Kategorinë e dytë të stadiumeve. Tashmë të gjitha klubet i kanë këto kritere dhe vetëm kërkohet angazhim i klubeve për përmbushjen e tyre. KE shqyrtoi edhe përgatitjet për Kuvendin e rregullt ku u tha se përgatitjet po shkojnë me dinamikën e paraparë dhe tashmë materiali është shpërndarë.  KE shqyrtoi edhe plotësim ndryshimet në aktet normative me theks të veçantë në Statutin e FFK-së që kërkon harmonizimin me Statutet e UEFA-s dhe FIFA-s dhe këto pritet të miratohen në Kuvendin e rregullt të FFK-së që mbahet më 25 gusht. KE mori vendim që ndeshja e Superkupës ndërmjet kampionit Trepçës 89  nga Mitrovica dhe fituesit të kupës Besës nga Peja të zhvillohet më 12 gusht në orën 17.00 në Gjilan.