12 qershor, 2023 – Vajzat e KFF 16 Qershori nga Malisheva janë kampione të edicionit garues 2022/23 në Ligën U17. Në finalen e garave të “play-off”-it vajzat malishevase triumfuan në duel me Dukagjinin e Klinës, pas gjuajtjes së penalltive, me rezultat 4:3. Finalja ndërmjet këtyre dy skuadrave, e cila u zhvillua në Kampin Nacional në Hajvali, prodhoi lojë mjaft interesante dhe të barabartë. Përkundër rasteve të krijuara asnjëra prej skuadrave nuk arriti të gjejë rrugën e golit në kohën e rregullt por as në vazhdime, kështu që fituesi i kësaj ndeshje dhe kampioni i Ligës U17 u vendos përmes penalltive. Nga pika e 11-metërshit më me fat u treguan futbollistet malishevase. Në serinë e penalltive të sakta te 16 Qershori ishin Diellza Krasniqi, Dorinë Qorri, Edonisa Vrenezi dhe Donesa Bajrami, derisa te Dukagjini realizuan Erolinda Smakiqi, Kreshnike Ramaja e Albina Hoti, derisa dështuan Elsa Raci dhe Besjana Zogaj. Paraprakisht në gjysmëfinale 16 Qershori e mundi Bazelin 2015, skuadër kjo e cila e kishte mbyllur edicionin në pozitën e parë të Grupit A, derisa Dukagjini që e mbylli edicionin e rregullt në pozitën e parë në Grupin B e mundi në gjysmëfinale skuadrën e renditur në pozitën e dytë në Grupin A, Intelektualet. Në fund kupën dhe medaljet për ekipin kampion i ndanë anëtarja e KE të FFK-së dhe njëherësh kryetarja e Komisionit për Futbollin e Femrave, Vjollca Krasniqi che menaxherja e futbollit të femrave, Valbona Gashi Uka.