Komisioni i Garave për Superligë dhe Ligën e Parë, në përbërje Abdyl Bellopoja, Isak Ejupi, dhe Agim Kastrati në mbledhjen e vet të mbajtur me datë 09.02.2022, shqyrtoi ankesën e FC Onix të parashtruar me datë 07.02.2022, me rastin e regjistrimit të ndeshjeve të 1/8 së Kupës së Kosovës, dhe konform nenit 55 të Propozicioneve të garave dhe nenit 71 të Rregullores së garave, mori këtë.

                                                             V E N D I M

1.Refuzohet si e pabazuar ankesa e FC ONIX

                                                      A R S Y E T I M

FC Onix ka ushtruar ankesë me datë 07.02.2022 me pretendimet se në ndeshjen e zhvilluar më 05.02.2022 FC Onix – KF KEK-u të 1/8 së finales së Kupës së Kosovës është aktivizuar në pankinë kryetrajneri i KF KEK-ut, Faruk Statovci pa të drejtë sepse në ndeshjen miqësore me datë 23.01.2022 ndërmjet FC Onix – KF KEK-u në Novosellë të Pejës është ndëshkuar me karton të kuq në min e 39-të.

Komisioni i Garave pas administrimit të të gjtha shkresave në lënd dhe pretendimeve ankimore të FC ONIX konstatoi se ankesa është e pabazuar sepse nuk i përmbush kushtet e përcaktuara të nenit 45 paragrafi 1 dhe 2 të Rregullores së garave.

Komisioni i Garave përmes zyrtarit kompetent të FFK-së i ka njoftuar me datë 20.01.2022 të gjitha lidhjet rajonale të futbollit se:

Në ndeshjet miqësore duhen të plotësohen 3 protokolle, e ku pasi të nënshkruhen nga përfaqësuesit zyrtar të klubeve dhe referit kryesor, një protokol e merr vendasi, një mysafiri dhe një referi kryesor, i cili e dorëzon në Lidhjen rajonale të futbollit.

Pasi që nuk janë përmbushur kriteret nga neni 45 i Rregullores së garave, ankesa e FC ONIX refuzohet si e pabazuar nga Komisioni i Garave.

Këshilla juridike:

Pala e pakënaqur ka të drejtën e  ankesës ndaj këtij vendimi tek Komisioni Disiplinor i FFK-së/ Komisioni i Apelit i FFK-së, në bazë të nenit 85, pika 3, të Rregullores së Garave, në afatin prej 3 ditësh nga publikimi i këtij vendimi në faqen zyrtare të FFK-së, apo datës së dërgimit në emailin e klubit.

Komisioni i Garave i FFK-së
Abdyl Bellopoja, Kryetar