3 qershor, 2021 – Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar sot pasdite stërvitjen e fundit para ndeshjes së dytë miqësore të këtij muaji kundër Maltës. Dardanët kanë zbritur në “Wörthersee Stadion” pa Vedat Muriqin e Samir Ujkanin, të cilët janë lënë të lirë nga përzgjedhësi Challandes si dhe prurjen e re, Lorik Emini, i cili nuk udhëtoi me ekipin si pasojë e lëndimit të pësuar në miqësoren kundër San Marinos.
Edhe gjatë stërvitjes së sotme është vërejtur përkushtim i madh nga futbollistët dardanë, të cilët edhe në miqësoren e nesërme hyjnë me synimin për të paraqitur lojë sa më të mirë dhe për rezultat pozitiv.
Para stërvitjes në konferencën për media ka folur përzgjedhësi Bernard Challandes, i cili vlerësoi se kjo miqësore do të jetë test i mirë për t’i parë disa lojtarë të ri. “Është një ndeshje e mirë për disa lojtarë të ri por kjo nuk nënkupton se do ta marrim si të lehtë. Lojtarët që janë në fushë duhet të japin maksimumin dhe të tregojnë seriozitet shumë të madh në fushë. Pra edhe pse është vetëm ndeshje miqësore ne kërkojmë maksimumin dhe sigurisht se hyjmë për fitore”, ka thënë Challandes. Ndërkaq, mesfushori Herolind Shala, ka thënë se situata me pandeminë e ka bërë shumë të vështirë ardhjen në ndeshje të kombëtares, duke pasur parasysh masat shtrënguese nga autoritetet e shteteve evropiane, derisa ka thënë se në këto ndeshje e ndjejnë jashtëzakonisht shumë mungesën e tifozëve “Dardanët”. “Jemi shumë të fokusuar në këtë miqësore, edhe pse është shumë vështirë të luajmë pa shikuesit tonë, të cilët gjithmonë na mbështesin dhe janë mbrapa neve. Mirëpo, ne do të japim gjithçka për të arritur rezultate pozitive dhe ta dërgojmë Kosovën përpara”, ka thënë Shala. Nga afër stërvitjen e Kombëtares e kanë ndjekur edhe presidenti Agim Ademi, nënkryetari Bakir Burri dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu. Ndeshja Maltë – Kosovë, zhvillohet nesër në orën 18:00, pa praninë e tifozëve.