10 tetor, 2017 – Në përballjen e parë në kuadër të ndeshjeve parakualifikuese për Evropianin “Anglia 2018”, Kombëtarja U17 e Kosovës, humbi nga gjiganti i futbollit evropian, Holanda, me rezultat 3:1. Futbollistët e Kosovës luajtën mirë kundruall një kundërshtari jashtëzakonisht të përgatitur mirë fizikisht dhe me një përvojë të madhe ndërkombëtare. Në pjesën e parë loja u zhvillua fillimisht në matje të forcave, por në minutën e 12-të shënuesi  më i mirë i tulipanëve Daishwain Redan prishi këtë baraspeshë duke kaluar skuadrën e tij në epërsi 1:0. Por ky gëzim i holandezëve zgjati më pak se një minutë pasi që Albin Prapashtica u përkujdes të ua prishë këtë gëzim të holandezëve dhe barazoi rezultatin në 1:1 në minutën e 13-të. Ndeshja vazhdoi me sulme sa nga njëra anë ashtu dhe nga ana tjetër deri në minutën e 24-t kur sërish shënon gol Redan, ndonëse ishte paraprakisht lojë me dorë por gjyqtari heshti. Deri në fund të pjesës së parë pati disa tentime për ta shtuar epërsinë nga ana e holandezëve, ndërkaq Kombëtarja e jonë pati rastin të barazojë, por nuk ia arriti dhe pjesa e parë u mbyll me rezultat 2:1 për Holandën. Në pjesën e dytë futbollistët tanë nuk u ndalën por krijuan disa raste e një të qind për qind për ta barazuar por nuk e konkretizuan dhe kur nuk shënon pëson, ndaj në minutën e 56-të sërish Redan shënon për 3:1 dhe me këtë rezultat edhe mbyllet ndeshja. Ndeshjen e ndoqën vet presidenti i FFK-së z. Fadil Vokrri, i cili kishte ardhur nga Islanda nga ndeshja Islanda -Kosova vetëm që t’i mbështesë djemtë e Kombëtares U17, bashkë me anëtarët e KE të FFK-së nënkryetarin Predrag Joviç dhe anëtarin Mirsad Çollaku, si dhe drejtorin e Kompanisë sponzore e ekipeve kombëtare “Malësia Resien” z, Rrustem Aliaj. Po ashtu pati disa adhurues nga Kosova dhe diaspora, kryesisht prindër të futbollistëve tanë.
Holanda – Kosova 3:1  (2:1)
Stadiumi: Keruleti TVE– Budapestë
Shikues: disa dhjetëra
Gjyqtarë: D. Sakhi, S. Vassyutin, G. Vigjtasrsonyi e B. Bekrs.
Shënues: Redan(12, 24 e 56) për Hol. e  Prapashtica(13) për Kos.
K.V. Franken (Hol) e Zyba(kos)
Holanda: Koorevar, Sambo,Van Gelderen(Kreks), Hendriks), Franken, Summerville(Thomas), Burger, Redan, Goudmijin, Vandr Heide(Sinit)Timan), Schippers.
 

Besnik Kollari, përzgjedhës

E kemi ditë se do të jetë një ndeshje e vështirë. Natyrisht se ishte një ndeshje e fortë me një kundërshtarë jashtëzakonisht cilësor siç është Holanda që ka një përvojë të madhe në arenën ndërkombëtare dhe një përgatitje më të mirë fizike. Por edhe ne patëm rastet tona dhe djemve u mungon kjo përvojë, por megjithatë te skuadra pati një angazhim të madh. Mendoj se goli i dytë u shënua nga loja me dorë dhe nuk arritëm të barazojmë kure patëm rastin. Si do qoftë ne do të punojmë për paraqitje sa më të mirë.
Albin Prapashtica, futbollist
Jam i gëzuar që shënova, por nuk jam i kënaqur që ekipi nuk bëri më shumë, ndonëse u angazhuam mjaft, por patë një Kombëtare të fortë përballë siç është Holanda.