10 qershor, 2017 – Kombëtarja e Kosovës U21 e ka zhvilluar sot pasdite stërvitjen e parë në Drammen, aty ku të hënën do ta luajë ndeshjen e dytë në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2018 kundër Norvegjisë. Në këtë stërvitje skuadrës i është bashkuar edhe Bersant Celina, derisa angazhimi dhe përkushtimi i futbollistëve ka qenë maksimal. Në këtë stërvitje përzgjedhësi, Rafet Prekazi provoi disa prej skemave të lojës dhe dha këshillat e nevojshme për futbollistët për të qenë sa më kompakt në sfidën kundër norvegjezëve. Ndërkohë gëzon fakti se të gjithë futbollistët janë në gjendje të mirë dhe asnjëri prej tyre nuk vuan nga ndonjë lëndim. Stërvitjen e Kombëtares U21 e ndoqën nga afër anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Xhelal Broja e Luan Vokshi, si dhe një numër i bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në Norvegji. Ndërkohë, do theksuar se mbrëmë tre futbollistët e Kombëtares U21, Rron Broja, Albert Dabiqaj dhe Florent Hasani ishin mysafirë në Radio Rilindja në Oslo.
 
Deklaruan pas stërvitjes
Bersant Celina: Kjo ishte stërvitja ime e parë me këtë grup të futbollistëve dhe jam shumë i kënaqur me atë çfarë ata treguan. Vërtet është një grup i futbollistëve të talentuar dhe bashkëpunues. Me një fjalë janë fenomenal, prandaj besoj se të hënën do t’i gëzohemi fitores.
 
 
 
Ardit Gashi: Kemi punuar jashtëzakonisht shumë gjatë këtyre ditëve sa jemi bashkë si grup. Jemi dukshëm më të fortë se sa në ndeshjen kundër Irlandës dhe besoj se këtë herë do të arrijmë fitore, edhe pse jemi të vetëdijshëm se norvegjezët kanë ekip të fortë
 
 
 
Arian Kabashi: Kushtet për punë këtu janë jashtëzakonisht të mira. Si grup jemi kompakt dhe kemi harmoni që janë shumë të rëndësishme në futboll. Shpresoj se edhe në stërvitjen e nesërme gjithçka të shkojë mirë dhe të hënën këtë punë ta finalizojmë me fitore.