4 shtator, 2020 – Kombëtarja e Kosovës U21 ka pësuar humbje të thellë në stadiumin “Fadil Vokrri” në duel me Kombëtaren e Anglisë U21, me shifrat 6:0. Kësisoj, të përzgjedhurit e Rafet Prekazit pësuan humbjen më të thellë deri më tani pas anëtarësimit në UEFA, por që kishin përballë një rival dukshëm në nivel më të lartë se sa kundërshtarët e deritashëm. Kombëtarja U21 në këtë ndeshje u detyrua të luajë pa shumë lojtarë, të cilët nuk arritën t’i përgjigjen ftesës për shkak të kufizimeve në udhëtim si pasojë e Covid-19. Kjo bëri që edhe loja e Dardanëve të rinj të mos jetë në nivelin e duhur. Në fakt, Dardanët e rinj rezistuan vetëm në pjesën e parë e cila u mbyll baras 0:0, derisa në pjesën e dytë “Tre Luanët” e rinj shënuan gjashtë herë në portën e Smakiqit. Eddie Nketiah i Arsenalit shënoi tre gola, derisa nga një gola e shënuan Reiss Nelson, Ryan Sessegnon e Jude Bellingham.