6 qershor, 2018 – Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbajti sot mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e presidentit Fadil Vokrri, ku diskutoi për shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës. KE analizoi rrjedhën dhe përfundimin e garave të kampionatit të sivjetmë dhe konstatoi se gjatë gjithë kampionatit kishte një rrjedhë të mirë të garave, që ishte kontribut i organizimit të mirë të klubeve, disiplinës së futbollistëve e që u përshkua me një rivalitet të madh sportiv. Në veçanti spikati fundi i Kampionatit kur deri në javën e fundit nuk ishte ende i qartë kampioni. Pastaj gara për Kupën e Kosovës ku fituesit u përcaktua pas ekzekutimit të penalltive dhe krejt në fund që këtë kampionat e bën interesant dhe joshës ishin edhe ndeshjet e barazhit, ku sërish penalltitë ishin ato që vendosën se kush do të mbetet në ligë, kush do ta lë ligën dhe kush do të inkuadrohet në një rang më të lartë të garave. Edhe garat në futbollin e femrave ishin tejet interesante ku edhe në këtë rang të garave kampioni u bë i njohur vetëm pas një ndeshje suplementare ndërmjet të parit dhe të dytit në renditje, meqë të dyja skuadrat kishin pikë të njëjta dhe në duelet e ndërsjella kishin rezultate të njëjta. Prandaj, KE mendon se e gjithë kjo na bën që edhe në edicionin e ri të jemi edhe më këmbëngulës për mbarëvajtjen sa më të mirë të garave. Po ashtu KE analizoi edhe punën e Komisioneve të FFK-së, duke i falënderuar për punën e deritashme dhe me përfundimin e edicionit të garave  pushon mandati i tyre. KE do t’i emërojë Komisionet e reja para fillimit të edicionit të ri të garave. KE debatoi edhe për përgatitjet për kampionatin e ri dhe vendosi që të gjitha organet t’i fillojnë përgatitjet secili në domenin e vet për një fillim sa më të mirë. Në fund nënkryetari Agim Ademi i njoftoi anëtarët e KE edhe për ndeshjen e miqësore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke theksuar se veç rezultatit të mirë kishte një organizim jashtëzakonisht të mirë dhe u tentua që të aranzhohet edhe një ndeshje tjetër, pas dështimit tashmë për shkaqe të njohura, problemeve të brendshme të Federatë së Bregut të Fildishtë, por që kushtet dhe rrethanat nën të cilat dëshironte Irani të luajë ishin të papranueshme për FFK-në.