16 qershor, 2023 – Kombëtarja e Kosovës ka barazuar pa gola kundër Rumanisë (0:0), në ndeshjen e tretë të ciklit kualifikues për Euro 2024. Kosova pati shumë raste shënimi, madje edhe e dërgoi topin në rrjetë, por gëzimin e tifozëve në stadiumin “Fadil Vokrri” e ndali ndërhyrja e VAR-it, e cila e shfuqizoi golin e Dardanëve.
Ndeshja u zhvillua në fushën tejet të rënduar për lojë si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut para dhe gjatë ndeshjes. “Terreni dhe fati ndikuan. Në momentet e fundit mund të bënim më mirë. Por, terreni mbetet faktor kryesor në shkakun pse nuk gjetëm golin. Në fundin e lojës, Muriqi shpërdoroi rast të mirë”, ka thënë pas ndeshjes Giresse.
Në fakt, Dardanët e dominuan lojën, por rastet e Florent Muslijës, Vedat Muriqit dhe Bersant Celinës në pjesën e parë nuk u finalizuan. Raste të mira Kosova pati edhe në pjesën e dytë, kur Mërgim Vojvoda e Edon Zhegrova kishin raste të pastra shënimi, por nuk u treguan efikas. Në minutën e 69-të stadiumi shpërtheu në gëzim, kur Edon Zhegrova shënoi me gjuajtje me kokë pas krosimit të Bersant Celinës. Megjithatë, gjyqtari holandez Danny Makkelie e anuloi golin për pozitë jashtë loje pas rishikimit të rastit në VAR. Kosova ishte afër golit edhe në minutat shtesë, kur Zhegrova pas depërtimit në zonë e vendosi në pozitë të mirë Vedat Muriqin, por ky gjuajti mbi portë.
Për Dardanët ky është barazimi i tretë në këtë fushatë kualifikuese, pasi në mars kishte barazuar me Izraelin dhe Andorrën. Ndeshjen e radhës Kosova e zhvillon të hënën kundër Bjellorusisë në Budapest. Kosova ka vetëm tre pikë dhe gjasat për kualifikim janë zbehur, por Giresse ka thënë se nuk do të dorëzohen. “Përderisa na lejon matematika, ka gjithmonë një shans dhe ne nuk dorëzohemi”, u shpreh Giresse.