3 shtator, 2020 – Kombëtarja e Kosovës e ka nisur me barazim edicionin e ri të Ligës së Kombeve. Dardanët, të enjten në mbrëmje kanë barazuar 1:1 me Moldavinë, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Ennio Tardini” në Parma të Italisë, në kuadër të Grupit 3 të Ligës C. Kombëtarja jonë e dominoi lojën, por nuk arriti të krijojë shumë raste të pastra para portës së vendasve. Në pjesën e parë tanët e lejuan kundërshtarit që ta ngadalësojë ritmin e lojës, ndonëse e administruan më shumë atë. Në anën tjetër moldavët që ishin plotësisht të përqendruar në mbrojtje arritën që falë një aksioni të shpejtë pas dy tentimeve ta çojnë topin në rrjetën e Arijanet Muriç. Shënues ishte Nicolaescu, i cili shfrytëzoi topin e dëbuar nga portieri ynë. Në vazhdim me gjithë përpjekjet për të ndryshuar gjërat futbollistët tanë nuk arritën të barazojnë shifrat dhe në pushim shkuan me një gol disavantazh. Në pjesën e dytë Dardanët u angazhuan edhe më shumë, por hasën në mbrojtje të dendur të moldavëve, të cilët e zhagitën së tepërmi lojën. Megjithatë, përfundimisht muri i mbrojtjes së vendasve u thye në minutën e 71-të, kur Benjamin Kololli shënoi pas asistimit të Valon Berishës për 1:1. Në minutat e mbetura futbollistët tanë i bën presion të vazhdueshëm, por pa arritur dot të gjejnë golin e fitores. Ndeshjen e radhës Kombëtarja e Kosovës do ta luajë të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Greqisë.